Tirana International Fair -TIF32 (TIF Explore & Heritage)

e martë, 3 nëntor 2026 · gjithë ditën

Pallati i Kongreseve, Tiranë · Hyrje falas

"Edicioni i 32-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës (Tirana International Fair-TIF32) do të zhvillohet më dt. 3-6 nëntor 2026, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë, nën organizimin e Klik Ekspo Group & Tirana International Fair. Panairi do të bëjë bashkë pjesëmarrës vendas dhe ndërkombëtarë nga fusha të ndryshme duke krijuar një hapësirë të veçantë për promovimin e turizmit, trashëgimisë kulturore, traditave dhe artizanatit.

Në këtë edicion, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale do të marrë pjesë me 10 artizanë të përzgjedhur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, të cilët do të prezantojnë disa nga punimet e tyre më të mira. Në hapësirën e dedikuar artizanatit do të ekspozohen punime në dru e metal, kostume popullore, qëndisje, tekstile tradicionale, punime në qeramikë dhe krijime të tjera të realizuara me dorë, që dëshmojnë larminë dhe mjeshtërinë e artizanatit shqiptar.

Përmes kësaj pjesëmarrjeje, QKVT synon t'u japë vizitorëve vendas dhe të huaj mundësinë të njohin nga afër punën e artizanëve, veçantitë e krijimeve të tyre dhe traditat që përfaqësojnë. Panairi do të shërbejë gjithashtu si një mundësi për t'u prezantuar turistëve dhe pjesëmarrësve ndërkombëtare pasurinë e artizanatit shqiptar, duke promovuar krijimet tradicionale dhe identitetin tonë kulturor përtej kufijve të vendit. Një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet njohjes së brezave të rinj me këto mjeshtëri, për të nxitur interesin për ruajtjen, vlerësimin dhe vazhdimësinë e artizanatit tradicional shqiptar."

Vende të reja, në email

Plazhe, kështjella, ture dhe linja të reja — disa herë në muaj. Konfirmo me email; çregjistrohesh me një klik.

Hap në hartën KuJan